Vetëpunësimi

Kosova ende vuan nga problemet sociale, si papunësia e lartë dhe mirëqenia jo e mirë e qytetarëve të saj. Shkalla e rritjes ekonomike e vendit është e pa mjaftueshme dhe përfshirja e vogël e qytetarëve në tregun e punës është mjaft shqetësuese.

 

Raporti jonë i publikuar me titull: “Vetëpunësimi” është fokusuar në masat aktive të tregut të punës dhe ndikimin e tyre në zbutjen e papunësisë në Kosovë. Masat aktive të tregut të punës janë ndër intervenimet kryesore të qeverisë për zbutjen e papunësisë. Ato kanë për qëllim ofrimin e mundësive të punësimit për punëkërkuesit dhe luajnë rol shumë të rëndësishëm për integrimin e personave të papunë në tregun e punës. Disa nga masat aktive të tregut të punës që aplikohen në Kosovë janë: vetëpunësimi, praktika dhe trajnimi në punë, aftësimi profesional, dhe punët publike. Këto masa aktive implementohen nga bashkëpunimi i institucioneve me donatorë të ndryshëm.

 

Vetëpunësimi është një ndër masat e tregut të punës, që u ndihmon punëkërkuesve të cilët duan të inkuadrohen në tregun e punës përmes fillimit të bizneseve. Programi i vetëpunësimit është program konkurrues, i cili garanton kthim në investim dhe veprimtaritë të cilat krijohen si biznese garantojnë jetëgjatësi dhe qëndrueshmëri financiare për të punësuarit. Personave të cilët dëshirojnë të fillojnë këto biznese u ofrohet trajnim dhe këshillim për menaxhim sa më të mirë të biznesit nga qendrat e aftësimit profesional. Në Kosovë, vetëpunësimi si program vazhdon të kontribuojë me 21% të shkallës së përgjithshme të punësimit.

 

Në hulumtim gjithashtu është prezantuar vetëpunësimi në funksion të ndërmarrjeve sociale. Ndërmarrjet sociale si mënyrë e vetëpunësimit ndihmojnë punëkërkuesit që dëshirojnë të nisin biznese dhe të papunët tjerë, pasi në fokus e tyre përmbajnë përmirësimin e problemeve shoqërore si dhe ofrimin e mundësive për punësim të grupeve të shoqërisë që janë në rrezik të përjashtimit nga tregu i punës.

 

Raportin e plotë për Vetëpunesimin mund ta gjeni këtu.