Të rinjtë dhe mediat

Projekti rajonal “Të rinjtë dhe mediat” ka analizuar gjendjen e të rinjve në medieve në 11 vende të Evropës Juglindore. Është financuar nga Fondacioni për shoqëri të hapur, ndërsa është koordinuar nga Metamorphosis dhe YEF nga Maqedonia, në Kosovë hulumtimin e ka zhvilluar OJQ LENS.

Qëllimi i projektit ka qenë hulumtimi i prezencës së të rinjve në medie, kërkesat dhe nevojat e tyre për informacion, shprehitë e përdorimit dhe portretizimi që u bëhet atyre në medie. Projekti, përveç Kosovës paralelisht është zhvilluar në Sloveni, Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Bullgari, Shqipëri, Maqedoni, Greqi dhe Turqi.

Gjatë hulumtimit i cili është zhvilluar i tëri online, janë grumbulluar më shumë se një mijë pyetësorë të kompletuar, nga grup mosha 15-30 vjeç. Të rinjtë kosovarë kanë rezultuar të jenë mire të pajisur me teknologji, sipas përgjigjeve të marra pothuajse të gjithë kanë një televizor dhe kanë një kompjuter laptop, ndërsa ndër përqindjet më të larta në rajon (80.3%) është ajo e njerëzve që përdorin telefona të mençur.
Ka rezultuar të jetë lehtësisht më e lartë përqindja e femrave që kanë një kompjuter (86.0%) se sa e meshkujve (84.8%). Ndërkaq që të pasurit e një laptop-i është më i shpeshtë tek njerëzit me edukim të lartë, të ardhura mujore mbi 1000€ dhe që jetojnë në zona urbane.
Përdorimi i televizorit gjithashtu rritet me moshën, nivelin e edukimit por është lehtësisht më i lartë në mesin e meshkujve. Gjatë shikimit të preferencave të të rinjve në lidhje me përmbajtjen e ofruar nga mediat, është vërejtur se paralelisht me filmat dhe programet argëtuese edhe lajmet dhe programet informative vazhdojnë të mbesin ndër zgjedhjet më të shpeshta të tyre.

Sipas preferencave programet më atraktive për të rinjtë kanë rezultuar: filmat, lajmet dhe informacioni, dokumentarët, muzika, teknologjia/kompjuterët, sporti, kultura, programet rinore, natyra dhe ambienti, etj (për shifra të sakta të konsulto raportin e detajuar bashkë me tabela).
Pothuajse unanimisht të rinjtë janë deklaruar se ndjehen të lënë anash në programet dhe informacionet mbi ekonominë dhe biznesin. Hulumtimi gjithashtu ka marr parasysh edhe përgjigjet e organizatave mediale dhe mediave në Kosovë.

Raportin e plotë me të dhënat e hulumtimit të zhvilluar në Kosovë mund ta shkarkoni këtu ndërsa rezultatet për vendet e rajonit janë të publikuara këtu.