Kallxo.com

Platforma online www.kallxo.com është projekt i përbashkët i organizatave Internews Kosova, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, OJQ “LENS” dhe Agjensionit Kundër Korrupsion, i mbështetur financiarisht nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim UNDP.

Në kuadër të këtij projekti është realizuar një ueb-platformë ku qytetarët e Kosovës mund të raportojnë rastet e korrupsionit.
Kjo platformë përveç raportimit të rasteve të korrupsionit, mundëson informimin në lidhje me rastet aktuale dhe prezantimin e institucioneve antikorrupsion në Kosovë. Publikimi i saj ka pasur për qëllim që të mundësojë komunikimin dhe debatin rreth çështjeve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, korrupsionin, konfliktet e interesit, keqpërdorimin e posteve zyrtare dhe përpjekjeve të institucioneve për të luftuar korrupsionin. Ky komunikim është vendosur në tri gjuhët zyrtare në ueb-platformë dhe me integrimin e rrjeteve sociale si Facebook dhe Twitter.

Platforma kallxo.com ka ngritur vetëdijen e qytetarëve të Kosovës në lidhje me korrupsionin dhe i ka mobilizuar ata që të raportojnë rastet e hasura, gjithashtu ka nxitur vullnetin e politik për luftimin e korrupsionit.  Për më tepër kjo platformë ka inkurajuar qytetarët dhe organizatat lokale e ndërkombëtare që ta trajtojnë me seriozitet çështjen e korrupsionit në shoqëri.