Mbrojtja e privatësisë në komunikimet elektronike

FBI ka kërkuar nga kompania Apple që të krijojë mundësinë për përgjime në telefonat e saj, kjo e fundit ka refuzuar dhe përmes një letre të hapur ka tërhequr vëmendjen e konsumatorëve të saj.

 

Dje në kuadër të hetimeve për sulmet e San Bernardinos , Apple u urdhërua nga një gjykatë Federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që t’i ndihmojë Departamentit të Drejtësisë ta hapë telefonin e përdorur nga njëri prej të akuzuarave.
Vendimi kërkon nga Apple që të zhvillojë një malware i cili e çaktivizon një nga parametrat e sigurisë së telefonit, i cili ka për detyrë të fshijë tërë memorien e një telefoni pas 10 tentimeve të pasuksesshme për qasje. Ky çaktivizim e lenë telefonin të hapur ndaj sulmeve të jashtme siç janë algoritmet për gjetje të fjalëkalimeve, çka ndikon jashtëzakonisht shumë në të ardhmen e sigurisë së të dhënave.

Marrë parasysh ndjeshmërinë dhe implikimet e mëdha në sigurinë e të dhënave, çështja e kodimit të informacionit është shndërruar në një debat të madh mbi nevojën për përgjime nga ana e shtetit dhe mbrojtjen e privatësisë së përdoruesve.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë Apple, Tim Cook, pas vendimit të gjykatës federale amerikane iu drejtua publikut të gjerë me një letër në të cilën flet për shqetësimin dhe kanosjen e sigurisë së të dhënave, në rast të krijimit të një shtegu të këtillë përmes së cilit mund të cenohet privatësia dhe siguria e të gjithë përdoruesve. Në letrën e tij Cook thotë se Apple i ka ofruar FBI-së të gjitha informatat dhe ka bashkëpunuar për së afërmi me ta duke ofruar ndihmën e inxhinierëve në zbulimin e provave, megjithatë ajo çka FBI po kërkon është një portë të fshehur tek iPhone, siç është shprehur ai.
Konkretisht FBI i ka kërkuar Apple të zhvillojë një sistem operativ të ri per iPhone, i cili e mundëson anashkalimin e disa parametrave të rëndësishëm të sigurisë, me ç ‘rast do të mundësohej që një algoritëm për gjetjen e fjalëkalimit, përmes tentimeve të pakufizuara të gjejë fjalëkalimin e cilitdo përdorues. Edhe pse FBI pretendon se ky do të ishte një softuer i cili do të përdorej vetëm njëhere, është naive të mendohet se kjo portë e fshehur do të përdoret vetëm njëherë siç pretendon FBI. Apple ka refuzuar të zhvillojë një softuerë të tillë, megjithatë debati për mbrojtjen e konsumatorit dhe privatësisë së tij në veçanti, vetëm sa ka filluar.

Lens po përcjell me vëmendje këtë debat dhe inkurajon edhe institucionet vendore që të rrisin vëmendjen e tyre në lidhje me mbrojtjen e privatësisë së përdoruesve të shërbimeve dhe pajisjeve të komunikimit elektronik.
Ju rikujtojmë se projektligji për përgjimin e komunikimeve elektronike në Kosovë, propozuar vitin që shkoi, nuk u votua nga parlamenti, i njëjti gjithashtu u kundërshtua ashpër nga shoqëria civile për të meta të mëdha. Shqetësimet kryesore tonat vazhdojnë të mbesin ruajtja e privatësisë dhe mbrojtja e konsumatorit në këtë proces.

Ndryshe, për këtë qëllim Lens ka nisur implementimin e një projekti të titulluar “Mbrojtja e të drejtave të njeriut në epokën digjitale” projekti është i mbështetur nga Komisioni Evropian dhe përmes tij organizatat e shoqërisë civile, midis tjerash do të angazhohen në mbrojtjen e të drejtave të privatësisë në epokën digjitale.