Mbahet takimi i parë nga projekti rajonal Web4YES

Me 26 prill, 2018 është mbajtur takimi i parë nga projekti rajonal që ka për qëllim rritjen e punësimit të të rinjve në rajonin e Ballkanit Perëndimor – “Web4Yes”. Ky projekt i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian, mblodhi në diskutim përfaqësues nga institucione të ndryshme të cilët punojnë në rritjen e punësimit për të rinjtë.

Qëllimi i këtij takimi ishte që të diskutohet për mundësinë e krijimit të një trupi kombëtar i cili do të veproj në mënyrë të organizuar drejtë arritjes së qëllimit të përbashkët, pra në rritjen e punësimit të të rinjve.

Takimi filloi me një prezantim të projektit rajonal. Në këtë rast organizata LENS prezantoi para palëve të interesit planin e projektit për 3 vitet e ardhshme, ku palët e interesit patëm mundësi të shohin se si mund të gjejmë hapësirë bashkëpunimi në të ardhmen.

U prezantua edhe platforma rajonale e punësimit e cila do të shërbej si agregator i të gjitha platformave tjera që ofrojnë shërbime të punësimit. Kjo platformë do të shërbej për të gjithë të papunët të cilët dëshirojnë të zgjerojnë mundësit e tyre të punësimit edhe në rajon.

Përfaqësuesi i Agjencisë së Punësimit së Republikës së Kosovës si dhe përfaqësuesi nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Këta përfaqësues shfaqën para palëve të interesit planin e tyre në të ardhmen, krijimin e strategjive të reja 3 vjeçare dhe vështirësitë e implementimit të këtyre strategjive nga limitet e ndryshme si humane ashtu edhe kapitale.

Gjatë këtij takimi gjithashtu u diskutua për pjesëmarrjen në forumin e parë rajonal në kuadër të këtij projekti, i cili do të mbahet në Shkup, gjatë muajit qershor. Në bazë të temave të forumit rajonal u zgjodhën në parim edhe përfaqësuesit e institucioneve nga Kosova.

Në fund palët u pajtuan që të vazhdojnë më komunikim dhe bashkëpunim në të ardhmen deri në arritjen e krijimit të një trupi formal kombëtar të bashkëpunimit.

 

Më shumë informata rreth projektit mund të gjeni në:
web4yes.eu
facebook.com/web4yes
instagram.com/web4yes

 

  Co-financed by the European Union