Të rinjët dhe mediat

Projekti rajonal “Të rinjtë dhe mediat” ka pasur për qëllim të analizojë gjendjen e të rinjve në medie në 11 vende të Evropës Juglindore. Projekti, përveç Kosovës paralelisht është zhvilluar në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Bullgari, Shqipëri, Maqedoni, Greqi dhe Turqi.

 

Projekti është financuar nga Fondacioni për shoqëri të hapur, ndërsa është koordinuar nga Metamorphosis dhe “Forumi Rinor për Edukim” nga Maqedonia.

Pjesën e hulumtimit të zhvilluar në Kosovë e ka zhvilluar LENS si partner në këtë projekt.

Qëllimi i projektit ka qenë hulumtimi i prezencës së të rinjve në medie, kërkesat dhe nevojat e tyre për informacion, shprehitë e përdorimit dhe portretizimi që u bëhet atyre në medie.

 

Gjatë hulumtimit i cili është zhvilluar i tëri online, janë grumbulluar më shumë se një mijë pyetësorë të kompletuar, nga grup mosha 15-30 vjeç.

Të rinjtë kosovarë kanë rezultuar të jenë mire të pajisur me teknologji, sipas përgjigjeve të marra, pothuajse të gjithë kanë një televizor dhe kanë një kompjuter laptop, ndërsa ndër përqindjet më të larta në rajon (80.3%) është ajo e njerëzve që përdorin telefona të mençur.

 

Ka rezultuar të jetë lehtësisht më e lartë përqindja e femrave që kanë një kompjuter (86.0%) se sa e meshkujve (84.8%).

Ndërkaq që të pasurit e një laptop-i është më i shpeshtë tek njerëzit me edukim të lartë, të ardhura mujore mbi 1000€ dhe që jetojnë në zona urbane.

Përdorimi i televizorit gjithashtu rritet me moshën dhe nivelin e edukimit por është lehtësisht më i lartë në mesin e meshkujve. Gjatë shikimit të preferencave të të rinjve në lidhje me përmbajtjen e ofruar nga mediat, është vërejtur se paralelisht me filmat dhe programet argëtuese edhe lajmet dhe programet informative vazhdojnë të mbesin ndër zgjedhjet më të shpeshta të tyre.

 

Sipas preferencave programet më atraktive për të rinjtë kanë rezultuar filmat, lajmet dhe informacioni, dokumentarët, muzika, teknologjia/kompjuterët, sporti, kultura, programet rinore, natyra dhe ambienti, etj. (për shifra të sakta konsulto raportin e detajuar bashkë me tabela).

Pothuajse unanimisht të rinjtë janë deklaruar se ndjehen të lënë anash në programet dhe informacionet mbi ekonominë dhe biznesin. Hulumtimi gjithashtu ka marrë parasysh edhe përgjigjet e organizatave mediatike dhe mediave në Kosovë.

 

Rezultatet e hulumtimit rajonal janë prezantuar në kuadër të konferencës e-Society të mbajtur në Shkup më 7-9 Shkurt 2014. Raporti i plotë për Kosovën si dhe ai krahasues për vendet e rajonit është publikuar dhe mund të konsultohet këtu (seeyouthmedia.org).