LENS siguron hapësirë në Pejë për i2 space

Një moment i rëndësishëm për projektin ndër-kufitar “Vetëpunësim dhe Ndërmarrësi Sociale Për Rini” dhe lajm shumë i mirë për të rinjtë nga Peja, Deçani dhe Istogu!

Komuna e Pejës na ka siguruar hapësirën të cilën po kërkonim në Pejë e në të cilën të rinjtë e këtij regjioni kufitar do të mund të takohen, të bashkëpunojnë dhe të zhvillojnë shkathtësitë e tyre në fushën e teknologjisë informative, ndërmarrësisë dhe inovacionit social.

Për këtë, ne kemi nënshkruar marrëveshje me Komunën e Pejës për shfrytëzimin e një pjese të Qendrës për Fëmijë të sapo-ndërtuar në lagjen Dardania. Së shpejti do të bëhet hapja zyrtare e saj.

Na ndiqni që të njoftoheni me më të rejat për hapësirën dhe të informoheni se si mund të jeni pjesë e aktiviteteve të projektit.

Hapësira për Ideja dhe Inovacion (i2 Space) dhe projekti “Vetëpunësim dhe Ndërmarrësi Sociale për Rini” ka për qëllim të kontribuojë në përmirësimin e qasjes në tregun e punës për të rinjtë dhe të inkurajojë grupet e rrezikuara sociale për të marrë pjesë në shoqëri.

Të rinjtë e komunës Pejë, Istog, Deçan, Podgoricë, Rozhajë dhe Berane do të kenë mundësinë unike për të përfituar forcim të aftësive, kompetencave, shkëmbim ndëretnik të ideve rreth praktikave novatore shoqërore dhe për pjesëmarrje në sektorin e ekonomisë digjitale.

Përveç krijimit të kurikulave trajnuese dhe aktiviteteve të planifikuar, do të krijohen hapësira të quajtura “i2 space”, një në Malin e zi dhe një në Kosovë. Hapësirat do t’u mundësoj të rinjve të këtij regjioni të bashkëpunojnë dhe zhvillojnë njohurit e tyre në teknologji informative, elektronik, arte digjitale, programim, ndërmarrësi dhe inovacion.

Ky projekt financohet nga Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II, Mali i Zi – Kosovë 2014-2020 i Bashkimit Evropian.

Artikulli u krijua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e saj është përgjegjësi e vetme e LENS-it dhe nuk reflekton domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.