Shoqëria civile në Kosovë mobilizohet për të mbrojtur të drejtat digjitale

Nën organizimin e dy OJQ-ve Kosovare, LENS nga Prishtina dhe KCIC nga Gjilani, përfaqësues të shoqërisë civile dhe institucioneve shtetërore përkatëse u prezantuan sot me punimin mbi legjislacionin lidhur me të drejtat digjitale. Punimi është hartuar bashkërisht nga ekspertët ligjorë vendas dhe të huaj dhe shqyrton ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe Direktivat e BE-së lidhur me lëndën.

Jo ndryshe nga trendet globale, shkelje të caktuara të të drejtave të njeriut, lirive dhe demokracisë janë shfaqur apo përkeqësuar në kohën e zhvillimeve teknologjike edhe në Kosovë. Rritja e përdorimit të internetit, ku Kosova është afër vendeve më të zhvilluara me penetrim, ka ngritur shqetësime rreth shkeljes së privatësisë, sigurisë së të dhënave personale dhe kufizimeve të lirisë së fjalës, informacionit dhe medias.

 

Të drejtat dhe liritë e lartpërmendura nganjëherë përplasen, dhe shoqëria civile e gjen veten jashtë debatit. Prandaj është e domosdoshme që OJQ-të të kenë kapacitete në nivele që do ta bënin kontributin e tyre kuptimplotë dhe konstruktiv. Kjo kërkon, ndër të tjera, njohjen e ligjeve të veçanta të cilat janë të rëndësishme e të cilat kanë qenë objekt i punimit të paraqitur sot; Kodit Penal, Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, Ligjit për Mbikëqyrjen Elektronike dhe Ligjit për Komunikime Elektronike.

 

Pjesëmarrësit sot patën rastin të mësojnë në lidhje me gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet nga raporti i parë si dhe t’i diskutojnë ato. Kjo ishte gjithashtu një mundësi unike për organizatat e shoqërisë civile (të përfshira kryesisht në të drejtat e njeriut) për t’u njohur me institucionet përgjegjëse për zbatimin e ligjeve të lartpërmendura.

 

Konferenca është pjesë e projektit “Mbrojtja e të drejtave të njeriut në kohën digjitale”, financuar nga Bashkimi Evropian përmes Zyrës Evropiane në Kosovë.

 

Të pranishmit i përshëndeti në fillim të konferencës Z. Libor Chlad, Zëvendës Shef i seksionit të bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë. Z. Chlad tha në mes tjerash se “Për të pasur sukses në tregun global, Kosova duhet të krijojë kushte për t’u mundësuar operatorëve ekonomikë të përfitojnë nga mundësitë që ofron ekonomia digjitale, duke garantuar një nivel të lartë të mbrojtjes së të drejtave individuale.”

 

Aktivitete të tjera të këtij projekti përfshijnë një fushatë ndërgjegjësimi për çështjet e ndjeshme në përdorimin e internetit dhe mundësitë e reja të përpunimit masiv të të dhënave, shqyrtimin e praktikave të trajtimit të të dhënave në sektorin komercial, përpunimin e të dhënave të votuesve dhe ndikimin e komunikimit digjital në lirinë e informacionit dhe medias. Ky projekt ka filluar në janar të vitit 2016 dhe do të përfundojë në gusht 2017.

 

Gjeni raportin e plotë në Legjislacioni në fuqi dhe aplikimi

Për më shumë rreth projektit vizitoni www.digitalrightskosovo.com