Prezantohet raporti i hulumtimit “Të rinjtë dhe mediat”

Organizata jo-qeveritare LENS, e para në Kosovë me orientim në teknologji, ka prezantuar të martën në Prishtinë rezultatet e hulumtimit “Të rinjtë dhe mediat” të zhvilluar gjatë muajve Korrik dhe Gusht 2013 në të gjitha shtetet e Evropës Juglindore.

 

Subjekt i hulumtimit ishin organizatat dhe institucionet që merren me rini dhe/ose media, si dhe vet rinia. Pjesa më e madhe, duke përfshi mostrën e të rinjve të anketuar, është zhvilluar nëpërmes internetit. Gjetjet nga ky hulumtim janë pikënisje e mirë për një debat mbi këtë temë që tregohet të jetë e lënë anash në tërë rajonin, sidomos në Kosovë.

 

“Të rinjtë dhe mediat” është iniciuar nga organizatat Metamorphosis dhe YIEF nga Shkupi, dhe është financuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Maqedoni, me pjesëmarrje të organizatave nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Sllovenia, Greqia, Bullgaria dhe Turqia. Përqendrimi i hulumtimit ishte tek qasja dhe përdorimi i mediave nga të rinjtë, rëndësia që kanë mediat për ta, si dhe krijimi i përmbajtjeve mediale nga të rinjtë.

 

Çështjet e edukimit mediatik dhe identifikimit të gjuhës së urrejtjes janë trajtuar po ashtu. Qëllimi i këtij hulumtimi është ngritja e vetëdijes mbi rëndësinë e marrëdhënieve në mes të rinjve dhe mediave, nxitja e hulumtimeve më të detajuara, si dhe inicimi i aktiviteteve që do të përmirësonin mbulimin e temave kyçe për të rinjtë. Mostra është e përbërë nga të rinj që e shfrytëzojnë internetin më shumë.

Statistikat e nxjerra nga ky hulumtim tregojnë se të rinjtë kosovarë janë të pajisur mire me teknologji, edhe pse komunikimi mbetet qëllimi kryesor i përdorimit të saj. Pothuajse të gjithë (99.0%) kanë një televizor në shtëpitë e tyre, ndërsa 73.2% deklarojnë se shikojnë TV çdo ditë.

Nga tërë rajoni, telefonat mobil të mençur janë më së shumti të pranishëm tek të rinjtë Kosovarë (80.3%), ndërsa shumica prej tyre (75.5%) e përdorin telefonin mobil për tu kyçur në internet çdo ditë.

 

Rezultatet tregojnë se të rinjtë në përgjithësi u besojnë pak mediave; më shumë se gjysma e të rinjve mendojnë se informacionet e paraqitura në medie janë të pavërteta. Një numër i madh i tyre (65%) kur kërkojnë informacione, marrin parasysh vetëm burime të cilave u besojnë, ndërsa shumica (80.5%) kanë tendencë të krahasojnë informacionet nga disa burime. Është vërejtur një interesim i lartë për lajmet me 70.1% e të anketuarve që kanë deklaruar se i lexojnë lajmet online çdo ditë, ndërsa në rangimin e llojit të programeve të preferuara nga të rinjtë lajmet vijnë të dytat, menjëherë pas filmave dhe pasohen nga muzika. Temat e mbuluara nga mediat në të cilat rinia ndihet pak e përfshirë dhe dëshiron më shumë vëmendje janë politika, ekonomia/biznesi, ambienti dhe shëndeti.