PRIVATËSIA NË KOSOVË MERR NJË PËRKRAHJE TË RËNDËSISHME NGA BE DHE SHOQËRIA CIVILE

Dy OJQ Kosovare, LENS nga Prishtina dhe KCIC nga Gjilani, me ndihmë të një granti nga BE kanë realizuar një projekt i cili ka tentuar të vë në binarë një varg masash të cilat do të parandalonin keqpërdorimin e të dhënave personale si dhe shkeljen e privatësisë. Aktivitetet kryesore të rrjetit kanë qenë fuqizimi i një grupi të OJQ-ve të kontribuojnë në këtë drejtim, krijimin e resurseve të reja dhe lehtësimin e shfrytëzimit të atyre ekzistuese mbi lëmin në fjalë, si dhe ngritja e vetëdijes qytetare mbi problematiken.

 

Pas 20 muajve te projektit te financuar nga BE, shoqëria civile në Kosovë është organizuar dhe aftësuar të mbrojë të drejtat e qytetarëve të rrezikuara më shumë në kohën e zhvillimit teknologjik. Projekti “Mbrojtja e të Drejtave të Njeriut në Epokën Digjitale” po përfundon formalisht, por situata në sektor do të vazhdojë të përmirësohet falë rezultateve të arritura gjatë implementimit. Rrjeti i organizatave jo-qeveritare do të vazhdojë mbikëqyrjen e situatës me privatësinë e Kosovarëve dhe me sigurinë e të dhënave personale të tyre. Bashkëpunimi me organet shtetërore tashmë i arritur, do të vazhdojë edhe më tej në drejtim të përmirësimit të legjislacionit dhe implementimit, sikur edhe bashkëpunimi me organizata simotra në Evropë. Resurset e shumta të krijuara nga ky projekt do të mbesin të qasshme edhe më tej në ueb faqen e dedikuar. Punë mbetet për tu bërë dhe vigjilenca e sektorit civil do të duhet të shtohet në vijë me komercializimin e më tejmë të të dhënave personale dhe me përparimet në teknologji, por një fillim i mirë është premtues.

 

Shfrytëzimi i gjerë i internetit, aftësia e shtuar e sektorit komercial të procesojë informata, video mbikëqyrja më e lirë dhe rrjedhimisht më e përhapur janë vetëm disa nga zhvillimet që kanë nxitur brenga serioze tek organizatat që merren me të drejtën e privatësisë. Kosova nuk është përjashtim dhe sidomos përhapja e shpejtë e shfrytëzimit të internetit ka alarmuar organizatat mbikëqyrëse. Zëvendës-kryesuesi i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së, Libor Chlad thotë “Zyra e BE-së në Kosovë është gjithmonë e interesuar të përkrahë këso iniciativash. Privatësia është një e drejtë e rëndësishme njerëzore dhe ruajtja e të dhënave personale është komponentë qenësore e saj. BE ka ligje të zhvilluara mirë për mbrojtjen e privatësisë dhe duke i synuar standardet e njëjta, Kosova është një hap më afër përvetësimit të vlerave Evropiane.”

 

Ueb faqja e dedikuar www.digitalrightskosovo.com si dhe faqja në rrjetin social Facebook (Digital Rights Kosovo) përmbajnë informata me rëndësi, shumica prej tyre të prezantuara në mënyrë te kuptueshme, dhe gjetja e tyre është e lehtë. Rrjeti i OJQ-ve do të vazhdon të funksionojë dhe kontakti me rrjet është i lehtë përmes dy faqeve. Bashkëpunimi me institucione shtetërore, veçanërisht me Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (ASHMDP) do të vazhdon për të mirën e qytetarëve. Anëtarët e rrjetit zotohen se do t’ua përshtatin angazhimin e tyre rrethanave dhe do të jenë në gatishmëri të reagojnë edhe ne rast të cenimeve imediate.