Më shumë të drejta për privatësi për qytetarët e EU

Nga sot hyn në fuqi Rregullorja e re Evropiane për Privatësinë e të Dhënave. Ndryshimet në
Rregulloren e Përgjithshme të Mbrojtjes së të Dhënave do t’u japin qytetarëve të Bashkimit Evropian
më shumë kontroll dhe qasje më të lehtë në të dhënat e tyre personale.

Veç tjerash, ndryshimet e kësaj rregulloreje parashohin përcaktimin e parimit kryesor që individët duhet të japin në mënyrë eksplicite lejen për përdorimin e të dhënave të tyre.Ligji i ri i BE-së gjithashtu u siguron konsumatorëve “të drejtën për të ditur” se kush përpunon të dhënat e tyre dhe për çfarë qëllimesh do të përdoren këto të dhëna. Njerëzit do të jenë në gjendje të bllokojnë përpunimin e të dhënave të tyre për arsye komerciale dhe madje të fshijnë të dhënat sipas “të drejtës për t’u harruar”. Kurse, prindërit do të vendosin për fëmijët rreth të dhënave të tyre derisa të arrijnë moshën e pëlqimit, të cilën shtetet anëtare do të vendosin diku mes 13 dhe 16 vjeç.

Bazuar në shqetësimet dhe rastet në rritje të abuzimit me të dhëna personale, me ligjin e ri janë
paraparë masa dhe gjoba të larta për kompanitë apo organizatat në rast të shkeljes së rregullave
strikte të privatësisë së të dhënave në BE. Ndëshkimi do të jetë deri në 20 milionë euro ose katër
përqind të qarkullimit vjetor të atyre kompanive që kryejnë këto shkelje.

Zanafilla e mbrojtjes së kodifikuar të të dhënave personale është bërë përmes dispozitave ligjore të
Direktivës 95/46 EC, e cila shërbente njëkohësisht edhe si bazë për harmonizimin dhe
ndërtimin e ligjeve të shteteve anëtare. Megjithatë, kjo direktivë është plotësuar rishtazi me
amendamente dhe reforma.

Ja disa informacione referuese për rregulloren e re të GDRP:
https://ec.europa.eu/commission/sites/beta-political/files/data-protection-factsheet-sme-obligations_en.pdf